“Orsato na keqtrajtoi”, spanjollët të zemëruar me arbitrin italian

04/10/2023 13:11

Sevilla siguroi pikën e dytë në grupin B të Champions League. Skuadra andaluziane e mbylli në barazim 2-2 takimin jashtë fushe me PSV-në.

Përballje ku trajneri i Sevillas ka lëshuar akuza të forta kundrejt arbitrit kryesor të ndeshjes: italianit Daniele Orsato.

Spanjollëve iu anulua një gol nga VAR-i, teksa Orsato akordoi penallti për skuadrën holandeze, që u kthye në gol nga “ish”-i De Jong.

Trajneri Jose Luis Mendilibar, foli rreth golit të anuluar të Adria Pedrosas për një prekje me dorë (duart ngjitur me trupin) dhe penalltisë së shkaktuar nga Sergio Ramos.

“Në pjesën e dytë kishim kontrollin e ndeshjes, krijuam raste për gol, por u keqtrajtuam disi nga vendimet arbitrare. Nuk e di nëse ishte prekje me dorë te goli ynë i anuluar, apo nëse ishte penallti te rasti i Ramos.

VAR-i na heq një gol dhe na jep një penallti kundër nesh. Ndërkohë që arbitri nuk shkoi të shihte asnjërin prej rasteve… E padrejtë, nuk e di nëse ai mund të quhet arbitër”, u shpreh Mendilibar.

Ndërkohë, në takimin ndaj PSV-së, Sevilla ka regjistruar një rekord. Duke u kthyer në skuadrën e dytë në historinë e Championsit që e nis takimin me katër lojtarë +35 vjeç në formacion.

Saktësisht Jesus Navas, Sergio Ramos, Fernando dhe Ivan Rakitic. Duke barazuar rekordin e norvegjezëve të Rosenborgut në sfidën e vitit 2007 me Schalke 04.

Top Channel