Greqia i është përgjigjur kërkesës së Shqipërinë për ndihmë në shuarjen e zjarrit në Pishë Poro të Fierit.
Vendi fqinj do të dërgojë një avion Canadair, duke ndërhyrë kështu nga ajri, pasi terreni i vështirë e bën të pamundur operimin e zjarrfikëseve.
Kërkesa u bë nga Agjencia Shqiptare e Mbrojtjes Civile, pasi zjarri prej 6 ditësh tashmë nuk po fiket, me gjithë përpjekjen e forcave zjarrfikëse apo Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shprehu falenderimet për ndihmën nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
“Greqia i është përgjigjur kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrën e zjarrit në Pishë Poro, në Fier. Falenderojmë fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile”, ka shkruar Peleshi në një postim në Facebook.
Reagim i ministrit të Brendshëm Taulant Balla: “Faleminderit Greqisë, e cila në kuadër të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile ju përgjigj menjëherë kërkesës së Agjencisë sonë të Mbrojtjes Civile me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrat e zjarrit në Pishë Poro dhe Darëzezë në Fier.”
Më herët Balla ka vlerësuar situatën si tepër problematike, ndërsa theksoi se në orët në vijim do të ketë përforcime të mjeteve zjarrfikëse dhe ka deklaruar se është kërkuar ndërhyrje nga emergjenca civile e Bashkimit Evropian si dhe forca njerëzore të specializuara.
Top Channel