Në strategjinë kundër kultivimit të kanabizimit pranohet se mungesa e bashkëpunimit efektiv ndërmjet strukturave vendore të policisë, prokurorisë nga njëra anë dhe institucioneve të tjera shtetërore si shërbimi pyjor, strukturat e bujqësisë, strukturat arsimore, shërbimet inteligjente dhe pushteti vendor nga ana tjetër ka sjellë vështirësi në kontrollin e territorit.

Ndonëse në njërin prej këtyre dokumenteve strategjike të përpiluar si një piketë që duhej të ndiqej për të minimizuar fenomenin ishte edhe dhënia e tokave shtetërore me qira, mbjellja e drogës në pyje dhe në toka pa pronar është aktuale. Me disa zona që u panë si harta të mbjelljes së drogës zyrtarisht nga 2017-ta deri në 2020-ën u propozua krijimi i lehtësirave fiskale dhe falja e detyrimeve të prapambetura nga taksat mbi tokën për banorët e zonave në risk. Dhe ndërsa sipërfaqja që mbillet me bimë arash dhe pemëtari në vendin tonë u llogarit gati në 500 mijë hektarë. 20 mijë hektarë tokë të tjera u konsideruan si potenciale për t’u shfrytëzuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

“Vitet e fundit si problematike ose vendin problematik do ta zëvendësoja me qarqe, që janë Shkodra, Lezha, Malësia e Krujës që bëjnë më shumë se gjysma e totalit. Këto janë qarqet më problematike. Falë terrenit, individët dhe grupet kriminale kanë shfrytëzuar terrenin. Asnjë rreth dhe qark nuk mund ta përjashtojmë pasi Shqipëria është e përshtatshme për të kultivuar. Në 477 operacione të organizuara nga drejtoritë vendore në vend janë identifikuar mbi 200 mijë rrënjë kanabis dhe 41 mijë rrënjë fidanë. Ajo që ju e quani parcela, ne e quajmë, vende kultivimi sepse parcela ka vendin e një hapësire të madhe dhe ka raste kur kemi identifikuar 10 rrënjë këtu 10 atje.

Në total janë 2738 vende kultivimi ku më së shumti janë tokë shtet dhe pjesa tjetër tokë me pronar. Mënyra e kultivimit është e njëjta, mund t’ju them atë që identifikojmë në vendngjarje. Kultivuesit marrin eksperiencë nga njëri- tjetri. Kontrolli nga ajri e toka e ka lehtësuar punën tonë. Ju mund të krahasoni të dhënat me vendet fqinje.”, thotë Rezart Velmishti, shef i antidrogës

Exclusive analizoi raportet e policisë së shtetit ndër vite ku dhe kuptohet se gati 9% e parcelave zbulohen me informacion policor. Të tjerat, zbulohen nga mbi 200 mijë kontrolle në vit të hartuara në plane masash ku policët verifikojnë terrenet malore në këmbë. Rreth 35% nga 56% e totalit të bimëve që asgjësohen identifikohen nga monitorimi ajror me helikopter policor apo monitorimi ajror i Guardia di Finanzës.

Sipas një protokolli operacional midis Shqipërisë dhe departamentit të sigurisë publike të Ministrisë së Brendshme Itali, qindra orë fluturime mbi zonat e hartës së vjetër problematike, por edhe në vatra të reja zbulojnë se si, jo vetëm në sipërfaqe të hapura rishtazi por edhe midis kulturave bujqësorë është mbjellë hashash. Edhe këtë vit njoftimet e përditshme me drogë që digjet, 318 të arrestuar si kultivues në tetë muaj vërtetojnë se kanabisi vijon të sfidojë. Referuar statistikave zyrtare gati 1/3 e të burgosurve të shpallur fajtore dhe që presin drejtësi janë arrestuar për shpërndarje dhe kultivim droge. Fare pak janë arrestuar si trafikantë.

“Këtu brezi im, shumica nuk kanë një profesion sepse ishte regjimi i tillë që nuk kanë as shkolla. Kanë ikur në emigrim, sot po nuk pate një shkollë, po nuk pate një punë, ku do shkosh, çfarë do bësh, familja do të hajë, fëmijët duan të hanë. Do thuash ti pse krijon familje, do krijosh se kështu është cikli i jetës. E pashë si zgjidhje”, thotë një i burgosur.

Por përtej tokave në terrenet malore të quajtura ndryshe si toka shtet, kontrollet në mjediset e mbyllura, mes tyre tunele ushtarake por edhe reparte ushtarake, sera e banesa private, tregojnë se një fenomen i ri ka lindur, ai i shtëpive të hashashit.

“Kjo që ju i referoheni si shtëpia e hashashit apo shtëpi bari janë terma për ne është kultivimi i hashashit në një ambient të përshtatur me llamba, të cilat importohen nga jashtë. Kjo metodë ka ardhur nga vendet evropiane sepse atje është e pamundur kultivimi në vende të hapura. Shqiptarët, të cilët janë të përfshirë në aktivitet kriminal jashtë vendit, dhe që janë riatdhesuar, janë munduar që këtë aktivitet ta shohin si një mundësi në vendin tonë. Polcia e shtetit ka vepruar, falë shërbimit informative dhe bashkëpunimit me qytetarët që kanë sinjalizuar punonjës policie ku në banesën ngjitur ndihen një erë e rëndë”, tha shefi i antidrogës, Rezart Velmishti.

Top Channel