Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar ditën e sotme, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

Luis Nelaj ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Luis Nelaj, 19 vjeç

Pas informacioneve të siguruara se 19-vjeçari do të udhëtonte drejt Shqipërisë, shërbimet e policisë e kanë kapur dhe arrestuar në Rinas.

Sipas fotove të siguruara nga Top Channel, kanabisi ishte i fshehur në kavanoz apo në tapa jeshile, lëndë narotike që kushtonte 3000 lekë, tre herë më shtrenjtë se kanabisi klasik.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se drejt Shqipërisë do të udhëtonte një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, kanë koordinuar veprimet me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky hetim ka nisur muaj më parë, ku policia hetoi lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje dhe zbuloi anëtarët e tjerë. Gjykata ka nxjerrë mbi 200 urdhra ndalimi, në disa qytete të vendit.

Numri i shtetasve të ndaluar në saj të këtij operacioni në Tiranë ka shkuar në 91.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Dy ditë më parë, Top Channel zbardhi detaje nga dosja e përgjimeve për megaoperacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, ku 3000 forca policie u angazhuan për arrestimin e mbi 233 personave në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA