Gazetari dhe moderatori ikonik i edicioneve të lajmeve në Top Channel, Ilir Paço ka qenë i ftuar këtë pasdite në “Ftesë në 5” ku ka folur për pasionin e tij për artin dhe rrugëtimin në fushën e medies.
“Nga klasa e pestë kam filluar me punimet, pastaj kalova në Shtëpinë e Pionerit në ’87-ën.
Pastaj e lash sepse krahas orëve të përgjithshme ne kishim edhe orët e pikturës ku duhet të rrija 6 orë brenda për të punuar. Nuk doja ta bëja këtë gjë. Dua të them kush fëmijë dëshiron të qëndroj i mbyllur brenda, dhe kështu hoqa dorë nga akademia për të vijuar gazetarinë. Dhe bëra mira, tani i kam të dyja”- tha Paço.
18 vite në Top Channel duke ruajtur peshën e edicionit qëndror të informacionit, Paço i emocionuar teksa kthehet mbrapa në kohë, ka folur ndër të tjera edhe për rrugtimin e tij brenda familjes së madhe të Top Medias.
“Janë disa momente që kthehesh mbrapa dhe thua si ka mundësi… Sa i vogël kam ardhur. Sigurisht që ka qenë lumturi e madhe të vije në Top Channel. Unë e kam nisur nga Alsati, sigurisht mund të kisha ardhur edhe më herët, por kisha mungesë besimi. I paharruari Dritan Hoxha më bëri atëhere një ofertë, por isha unë mosbesues. Ishte revolucioni i kohës atëhere në media dhe unë isha pak skeptik. Por u bashkova shpejt”- u shpreh Paço.
Afro dy dekada pjesë e ekranit më të dashur të të gjithë shqiptarëve, gazetari i mirënjohur ka rrëfyer gjithashtu për momentet e paharruara gjatë punës në media.
“Moment i paharruar ishin zhvillimet në Kosovë, kur ne nuk kishim hapur zyrat akoma dhe gjithë zhvillimet në Kosovë i mbuloja unë. Më duhej të raportoja në të ftohtë.
Raportoja për Maqedoninë e Veriut, në Greqi po ashtu. Me hapjen e zyrave tona, përfundoj gjithçka. U stabilizuam. Momente të tjera të paharruara ishin edhe tërmeti, mbaj mend. Me drejtuesit e lamë të transmetonim pamjet ashtu sikurse ishin, madje mbaj mend edhe gjatë transmetimit live kur ndodhnin pasgoditje dhe në transmetim ne e thoshim që sapo ndodhi një tjetër tërmet”- tha Paço.
Vlen të theksohet se, Ilir Paço ka çelur pak ditë më parë ekspozitën e tij “The pressure of Freedom”, një punë artistike e kryer mbi fletat A4 të kokave të lajme që ai lexon çdo ditë.
Top Channel