Në prag të takimit të shumëdiskutuar të 14 shtatorit në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar pohon se pret nga palët të marrin seriozisht detyrimet e tyre, të dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fillojnë përmbushjen e tyre për të shënuar përparim në zbatimin e saj.
Në intervistën e dhënë për VOA-n, megjithatë, zyrtari i lartë amerikan më shumë shnjëstroi Kurtin, me deklaratën se nga kryeministri i Kosovës nuk ka marrë kurrfarë zotimi për zbatimin e marrëveshjes bazike mes Prishtinës dhe Beogradit dhe aneksit të saj.
“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit të marrëveshjes. Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, u shpreh Escobar.
Escobari vuri mes rreshtash dhe një afat kohor, duke dëshmuar lodhjen e ndërkombëtarëve nga vonesat e deritanishme.
“Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga ujdia, dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit”, tha Escobar.
I dërguari amerikan propozoi si rrugën më të shpejtë e më të lehtë për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës dorëheqjen e kryetarëve të tanishëm shqiptarë.
“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve”, tha më tej Escobar.
Top Channel