Infrastrukturë e re në Tiranë, bashkia ndërhyn në njësinë tre në kryeqytet

12/09/2023 14:57

Pesë mijë banorë të bllokut të pallateve pranë shkollës së re “Xhezmi Delli” në Njësinë 3, përfitojnë infrastrukturë më të mirë falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në rrugët “Arben Minga”, “Ali Baushi” dhe “Skënder Kurti”, e cila u emërtua kështu në nder të ish-kampionit dhe ish-trajnerit të kombëtares së boksit, i ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Investimi përfshin jo vetëm asfaltimin e tyre, por edhe rehabilitimin e mureve rrethuese dhe të fasadave të pallateve, si dhe ndërhyrjet e nevojshme nëntokësore të rrjetit të kanalizimeve.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se pas ndërtimit të shkollës së re “Xhezmi Delli”, kjo ndërhyrje do t’i japë vlerë më të madhe pronës së banorëve.

“Jam vërtet krenar për gjithë kantieret që kemi hapur në Njësinë 3. Kur flasim për rehabilitim nuk flasim vetëm për asfalt, por për të gjitha shtresat e nënshtresat, tubacionet për rrjetet, qofshin ato rrjete të ujësjellësit, qofshin kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, fibër optike, energjia etj”, tha ai.

Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve. “Dua shumë që të gjejmë bashkëpunim me banoret sepse është shumë e rëndësishme të mbajmë premtimet tona, por është po aq e rëndësishme që edhe banorët të na japin një dorë kur është fjala për të tërhequr pak avllinë, në mënyrë që të përfitojmë trotuare për të gjithë. Njerëzit duhet të kuptojnë se infrastruktura e re do sjellë më shumë trafik, do ketë më shumë lëvizshmëri sesa një vend me baltë e gurë, por ama, që kjo lëvizshmëri të jetë e sigurt, na duhet një trotuar mbrojtës. Kjo bëhet fillimisht për ata që jetojnë këtu, nuk bëhet as për parti, as për bashki. Kjo bëhet për banorët që jetojnë këtu”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku ftoi banorët të përfitojnë nga Fondi i Komunitetit, të përfitojnë 50% të vlerës së investimit për të ndryshuar fasadat e pallateve të vjetra të zonës.

Veshja e një fasade nuk bëhet vetëm për estetikë, por edhe për çështje të kursimit të faturës energjetike. Për familjet në nevojë, kontributin e paguan bashkia, – pra, jep 50% plus edhe për ata që s’kanë mundësi, – ama kush ka mundesi, të bëhet mukajet dhe të aplikojë në Fondin e Komunitetit, që syri të shohë asfalt dhe urbanistikë edhe në nivelin horizontal, por edhe kur ngre kokën lart”, u shpreh ai.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA