BE e EULEX kërkojnë nga Kosova e Serbia të zbatojnë plotësisht zotimet e marra për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur dhe të rrisin bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit e kryerjen e gërmimeve
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kreu i Zyrës së BE, Tomáš Szunyog dhe drejtuesi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano kanë bërë thirrje për ndriçimin e fatit të 1616 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit evropianë, thonë se “Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur”.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u dakordua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur dhe për të rritur bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe kryerjen e gërmimeve”, thuhet në deklaratë. Deklarata mëton të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur, e kjo parashikon krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK-ja.
EULEX vazhdon punën për gjetjen e personave të zhdukur
Drejtuesi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, pjesë e deklaratës, thotë se ekspertët e misionit vazhdojnë të punojnë me palët homologe kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. “Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione terreni për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, duke ku përfshihen 339 persona të zhdukur. Mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t’u dhënë përgjigje familjarëve të personave të zhdukur”, thotë Barbano.
Kurse drejtuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. 1616 persona janë të zhdukur, shumica nga ta shqiptar të Kosovës. Dy muaj më parë në maj, Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut nënshkruan një deklaratë të përbashkët, me zotim për zbatimin e plotë të detyrimeve për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia duke mos zbatuar zotimet e saj nga kjo deklaratë dhe nga Marrëveshja e Ohrit, po ripërsërit krimet e saj. “Të mendojnë pak për faktin që edhe 25 vjet pas luftës në krye të Serbisë janë po ata që e shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë shumë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë një proces nëpërmjet të cilit Kosovës do t’i bëhet presion, popullit të Kosovës do t’i bëhen padrejtësi, ndërsa, fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle në varreza masive do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.
Jo politizim të fatit të viktimave të zhdukura me forcë
Fati i “viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, tha në një deklaratë, drejtuesja e Misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh. Ajo u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar në mirëbesim deklaratën për personat e zhdukur. Deklarata për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur u nënshkrua më 2 maj nga kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo ishte pjesë e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Gjatë muajit shtator i dërguari i BE-së për dialog Miroslav Lajçak paralajmëroi nisma të reja për të ulur në një tavolinë kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq, pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për uljen e tensioneve në veri dhe rihapjen e diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit./ DW
Top Channel