Myrto Uzuni fitoi derbin e kuqezinjve me Vedat Muriqin të shtunën e kaluar, teksa Granada iu imponua 3-2 Mallorcas. Sulmuesi beratas realizoi me 11-metërsh golin e tretë për skuadrën andaluze, duke e çuar rezultatin në 3-1 (përkohësisht), por kontributi i tij ishte shumë më tepër.
Uzuni, në përfundim të ndeshjes, ishte lojtari i dytë me notën më të lartë, 7.6, çka tregon se rëndësia e tej në vijën e parë të sulmit ishte e padiskutueshme.
Specialistët e prestigjiozes Marca e kanë përfshirë sulmuesin kuqezi në formacionin më të mirë të javës së tretë, mes yjeve të tjerë të La Ligas.
Krahas Uzunit, në dyshen e sulmit, është sulmuesi i Barcelonës, Ferran Torres. Nuk mungon as talenti 16-vjeçar i “blaugranave”, Lamine Yamal, apo ylli i Realit të Madridit, Jude Bellingham.
Forma e mirë e shfaqur nga Uzuni në një prej ligave më të mira në botë i jep avantazh edhe në garën për vendin e titullarit brenda ekipit kuqezi, që në fillim të shtatorit do të ketë dy sfida kyçe për kalifikimin në Euro 2024, me Çekinë dhe Poloninë./Supersport
Top Channel