Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj protestës së sotme të ish-punëtorëve të sigurimit fizik, ku njofton se në bazë të dokumentacionit të cilin e kanë trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë nga KEK-u në vitin 2004, sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas KEK-ut, nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik.

“Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”, thuhet në reagim.

Për më tepër, KEK-u bën të ditur se në bazë të dokumentacionit që posedojnë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a.

“Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Më tej, KEK vlerëson se, Ligji për shërbimet private të sigurisë (Nr. 04/L-004) parasheh që (1) Shërbimet e sigurimit ofrohen vetëm nga kompanitë private të sigurimit, të licencuara dhe të autorizuara në pajtim me këtë ligj, dhe (2) Shërbimet e sigurimit ushtrohen vetëm përmes punëtorëve të licencuar të sigurimit në pajtim me këtë Ligj.

Mbi këtë bazë, KEK sh.a. as nuk është i licencuar dhe as që ka mundësi për te aplikuar për licencim.

“Për më tepër çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës ne sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja. Lidhur me këtë, duke pas parasysh faktet e lartcekura dhe bazuar në ligjet në fuqi, KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas KEK-ut, pavarësisht të gjithave, menaxhmentet e kësaj kompanie gjithmonë kanë bashkë ndjerë me situatën e krijuar nga shumë vite më herët, me ç‘rast duke pasur synim primar sigurinë fizike të objekteve dhe pronës, përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjithë OE të suksesshëm që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish njësisë Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë.

“Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësorë dhe shujtën”, thuhet në komunikatë./ Kosova Press

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA