Lind “Dinamo City”/ Prezantohet logo dhe fanella e re e ekipit të futbollit

25/08/2023 19:55

Sezoni i ri nis me ndryshime edhe në arenën sportive. Hapat e Shqipërisë drejt sportit elitar po shpejtohen, pasi akademia e klubit të Manchester City dhe shkolla e tij e futbollit për fëmijët do të kenë në Durrës kampusin më të ri për rajonin.

Klubi i futbollit, Dinamo i Tiranës, i krijuar që në 1950, ne vitin e 73 të tij ndryshon faqe e pagëzuar me titullin Dinamo e së ardhmes.  Një epokë e re kjo e klubit legjendar.

Këtë të premte u prezantua logoja e re dhe fanellat e Dinamos që tashmë me binjakëzimin me Manchester i shtohet emrit edhe City; Dinamo City.

Në gamën e ndryshimeve për Dinamon u zbuluan në konferencën për shtyp edhe 6 blerjet e reja të verës, investitorët dhe gjithashtu dy figurat kyçe të klubit, Luigi Di Biagio, trajneri italian që do drejtojë ekipin si dhe drejtori sportiv Haris Fakic.

 “Jam i lumtur që rikthehem në Shqipëri. Jam krenar për klubin e madh Dinamo që do drejtoj”, tha Haris Fakic, drejtori sportiv, Dinamo City.

 “Jemi gati, skuadra po rritet, edhe emocionet po shtohen. Organizimi perfekt, dizajni i logos marramendës. Asgjë nuk është e lehtë, por ne shikojmë larg për të arritur objektivat”, tha Luigi Di Biagio, trajneri i ekipit, Dinamo City.

 “Do jetë një bashkim forcash për të ardhmen e dinamos. Do jetë një Dinamo edhe më kompetitive”, tha Ardian Bardhi, president i Dinamo City.

Marrëveshja e paralajmëruar mes Shqipërisë dhe klubit prestigjioz Manchester City po fillon zbatimin, duke e përfshirë vendin tonë në hartën e City Football Group ku marrin pjesë shtete të konsoliduara si SHBA, Anglia, Franca.

Kjo marrëveshje e firmosur gjatë prillit, e cila pas gati gjysmëviti po vihet në punë, për qeverinë shqiptare është shenjë e fortë për nisjen e një kapitulli të ri miqësie dhe bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA