Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm për 25 gusht dhe ka nisur një hetim të brendshëm për një incident gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në finalen e Kupës së Botës, të fituar nga ekipi i vajzave të Spanjës.
Presidenti i RFEF-së, Luis Rubiales, e kishte puthur në buzë futbollisten spanjolle, Jenni Hermoso, gjatë ceremonisë pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës.
“Federata dëshiron të informojë se procedurat e brendshme të Federatës lidhur me çështjet e integritetit janë të hapura, si dhe pjesa tjetër e protokolleve të zbatueshme”, thuhet në njoftimin e RFEF-së.
Incidenti shkaktoi reagime të shumta, me shumë aktivistë të të drejtave të njeriut që e akuzuan Rubiales për keqpërdorim të pozitës së tij si president dhe ngacmim seksual ndaj futbollistes.
Rubiales më vonë kërkoi falje, por kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se kërkim-falja nuk mjaftonte.
“Ajo që pamë ishte një gjest i papranueshëm, por faljet e zotit Rubiales gjithashtu nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë as adekuate, dhe për këtë arsye ai duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa për ta sqaruar atë që ne të gjithë pamë në media”, tha Sanchez të martën.
Victor Francos, ministri i Sportit i Spanjës dhe presidenti i Këshillit Sportiv të vendit (CSD), tha se këshilli do të ndërmerrte veprime nëse një gjë të tillë nuk e bën RFEF-ja, duke e ngritur çështjen në Gjykatën Administrative të Sporteve të Spanjës.
“Unë mendoj se ajo që njerëzit përgjegjës do të bëjnë është të bisedojnë me dy palët e përfshira dhe ta lëshojnë një raport. Unë personalisht i kam thënë federatës se ky raport duhet të jetë transparent dhe urgjent, sepse, nëse nuk është, padyshim që ne jemi të detyruar t’i marrim masat përkatëse shtesë”, tha Francos për mediumin Cadena Ser.
Disa tifozë të futbollit dhe zyrtarë i kanë bërë thirrje Rubialesit që të jepte dorëheqje shkaku i incidentit. Por, mediat spanjolle raportuan më 23 gusht se një gjë e tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë.
Hermoso tha në një postim në rrjetet sociale se “nuk i pëlqeu” puthja, por në një deklaratë të lëshuar më vonë e mbrojti presidentin e Federatës duke thënë se ata kishin një marrëdhënie të mirë dhe se incidenti ishte një “gjest reciprok krejtësisht spontan” gjatë festimit të titullit.
Spanja e mposhti Anglinë me rezultat 1:0 në finalen e Kupës së Botës, duke u bërë kampione botërore për herë të parë në botë.
Top Channel