Milan dhe Arsenali ishin skuadrat që mbyllën fundjavën futbollistike në Serinë A dhe Premier League me sfidat e tyre respektive ndaj Bolognas dhe Crystal Palace, sfida këto të transmetuara edhe në platformën Digitalb.
Në Dall’Ara kuqezinjtë e Stefano Piolit iu imponuan Bolognës duke e mundur me rezultatin 2-0 duke marrë kështu 3 pikët e para në këtë sezon të ri.
Bologna për pak sa nuk befasoi Milanin teksa në 20 sekondat e para të sfidës goditi tramversën me Lykogiannis, por më pas ishin kuqezinjtë që u ngjitën në skenë me Olivier Giroud që në minutën e 11 zhbllokoi rezultatin pas një asisti të Reijnders.
Dhjetë minuta më vonë, Giroud kombinoi me Pulisic me amerikanin që me një gjuajtje me të djathtën dërgoi topin në rrjetë për të çuar rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë u ndje shumë lodhja dhe temperaturat e larta te të dyja skuadrat dhe rezultati nuk ndryshoi, pavarësisht rasteve të krijuara nga Aebischer për Bolognan dhe Leao për Milanin.
Arsenali vuajti, por fitoi edhe ndeshjen e tij të javës së dytë në premier League.
Topçinjtë arritën t’i imponoheshin Crystal Palace me rezultatin 1-0 duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve. Ishte një ndeshje shumë e vështirë kjo për Topcinjtë që pasi krijuan disa raste me Nketiah, arritën të merrnin avantazhin në rezultat në minutën e 54 me Odegaard që shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit.
Dukej se pas kësaj Arsenali do ta kishte me të lehtë, por Tomiyasu u ndëshkua me karton të kuq dhe në këtë pikë Crystal Palace mori zemër dhe detyroi Arsenalin të mbrohej me skuadrën e Artetës që diti të ruajë rezultatin 1-0 deri në fundin e sfidës dhe tani është në krye të klasifikimit së bashku me Brightonin e Manchester City.
Top Channel