Eldi Alushi, i riu i cili fluturoi me makinë nga rruga e Kosovarëve drejt digës së Liqenit të Tiranës ka rënë në prangat e policisë, pas disa orësh kërkime.
Sipas gazetares Dorjana Bezat, ai do t’i nënshtrohet analizave dhe verifikimeve me qëllim zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
“Rreth orës 15:00 të ditës së sotme, Policia e Qarkullimit Rrugor Tiranë ka arritur të lokalizojë dhe shoqërojë në komisariat shtetasin E. A., pronar i automjetit BMW X6, i cili mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15, është përplasur në bordurën mbrojtëse në skarpatin e digës së Liqenit Artificial. Pronari i mjetit do t’i nënshtrohet verifikimeve dhe hetimeve të mëtejshme mbi rastin”, sipas policisë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa autori po udhëtonte me një automjet të tipit “BMW X6”.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duket se për vetëm tre sekonda mjeti BMW i drejtuar nga 26-vjeçari nga Durrësi, nga Rruga e Kosovarëve përplaset me pemën dhe vijon pingul lëvizjen mbi pjesën e digës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar nga këmbësorët që po bënin vrapin e mëngjesit.
Pas përplasjes, 26-vjeçari mori dokumentet e makinës dhe u largua në drejtim të paditur për t’u identifikuar orë më vonë dhe shpallur në kërkim për dy vepra penale, shkatërrim i pronës dhe largim nga vendi i aksidentit.
Dyshimet e para janë se 26-vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo të drogës. Nisur nga skeda e policisë, ai ishte shofer i pa disiplinuar i ndëshkuar disa herë me gjobë.
Për aksidentin reagoi dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj i cili shpërndau në Twitter dhe pamjet e kamerave të sigurisë dhe kërkoi për autorin dënim maksimal. Sipas tij do të tregohet zero tolerancë për kërcënuesit e jetës e bashkëjetesës në kryeqytet.
Top Channel