Propozimi për ta shtuar një amendament në ligjin në Irak që do të caktonte dënimin me vdekje për marrëdhëniet homoseksuale është quajtur si “përshkallëzimi më i rrezikshëm” nga aktivistët për të drejtat e njeriut.
Në Iran, personat e komunitetit LGBTI (homoseksual, biseksual, transgjinor, ndërgjinor) veçse përballen me sulme dhe diskriminim të shpeshte.
Por, sipas një dokumenti të parë nga agjencia e lajmeve AFP,ndryshimi i një ligji kundër prostitucionit të vitit 1988, i cili kaloi një lexim të parë në parlament javën e kaluar, do t’u mundësonte gjykatave të japin “dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm” për “marrëdhënie homoseksuale”.
Homoseksualiteti, ashtu si çështjet e tjera gjinore, mbetet tabu në shoqërinë konservatore të Irakut, megjithëse asnjë ligj ekzistues nuk i ndëshkon në mënyrë eksplicite marrëdhëniet homoseksuale.
Por, anëtarët e komunitetit LGBTI+ janë ndjekur penalisht për krime të ndryshme morale dhe të prostitucionit në kodin penal të Irakut.
Irakianët e komunitetit LGBTI+ janë shënjestruar me “rrëmbime, përdhunime, torturim dhe vrasje” të pandëshkuara, sipas një raporti të vitit 2022 nga organizatat Human Rights Watch (HRW) dhe IraQueer.
Rasha Younes, studiuese e të drejtave të komunitetit LGBTI+ në HRW, e përshkroi legjislacionin e propozuar si një “hap të rrezikshëm”.
“Kjo do të thotë se jeta e individëve irakianë dhe frika e vazhdueshme nga sulmet dhe vrasjet e pandëshkuara nga grupet e armatosura tani do të bëhen vetë ligji”, tha ajo.
Agjencia e lajmeve AFP raporton se për ndryshimin e këtij ligji duket se ka mbështetje në asamblenë me shumicë islamike.
Ligjbërësi Sharif Suleiman i Partisë Demokratike të Kurdistanit tha se legjislacioni i propozuar pasqyron “vlerat tona morale dhe njerëzore dhe luftën tonë kundër fenomeneve jonormale shoqërore”.
“Ne kemi nevojë për ligje parandaluese”, i tha ai gazetës qeveritare Al-Sabah.
Sipas tekstit të parë nga AFP-ja, amendamenti do të vendoste gjithashtu një dënim minimal prej shtatë vjetësh për “promovimin e homoseksualitetit”.
Masa të tjera synojnë ta kufizojnë diskutimin publik të çështjeve gjinore. Komisioni kombëtar i mediave dhe komunikimit po shqyrton mundësinë që mediave në Irak t’u ndalohet përdorimi i termit “homoseksualitet”, tha një burim i AFP-së.
Në vend të kësaj, mediat do të këshillohen ta përdorin termin nënçmues “devijim seksual”” sipas burimit, dhe termi “gjini” gjithashtu do të ndalohet nëse masa miratohet.
Top Channel