Dy blegtorë janë arrestuar nga policia e Himarës pasi ndezën qëllimisht një zjarr në vendin e quajtur “Bathishtë”, në territorin e fshatit Kudhës.
44-vjeçari E. M., dhe nipi i tij 29-vjeçari A. L., e ndezën zjarrin me qëllim rigjenerinim e kullotës, në një sipërfaqe pyjore që ia kishin marrë me qira Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në bashkinë Himarë.
Flakët janë përhapur në sipërfaqe të mëdha pyjore, si pasojë e erës, duke djegur dhjetëra hektarë sipërfaqe pyjore.
“Falë veprimeve të shpejta e profesionale, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të zjarrvënies (blegtorë nga fshati Kudhës, të cilët kishin marrë me qira një sipërfaqje pyjore për kullotë.)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, është proceduar penalisht për shpërdorim detyre 52-vjeêari S. N., banues në Himarë, me detyrë inspektor pyjeve në bashkinë Himarë.
Njëkohësisht u procedua penalisht për “Moskallzim krimi”, 57-vjeçari J.V, banues në fshatin Kudhës, (banor i zonës), për moskallzim krimi pasi duke qenë bari i zonës ka parë që këta shtetas po vinin zjarr në disa vatra dhe nuk ka njoftuar Policinë.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës
Top Channel