Edinson Cavani ka shijuar golin e parë me Boca Juniors.
“El Matador” i dha fund gjatë kësaj vere aventurës europiane pas 16 vitesh dhe firmosi me një nga skuadrat më popullore dhe të dashura në Amerikën Latine.
36-vjeçari la shenjën e tij në suksesin 3-1 që Boca arriti përballë Platenses. Ishte minuta e 55’ kur “Bombonera” shpërtheu pas golit të sulmuesit uruguaian.
Cavani shfrytëzoi një krosim të Exequiel Zeballos nga e djathta dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë. Duke dërguar rezultatin përkohësisht në 2-0 dhe tifozët unikë të Bocas në ekstazë.
14 minuta përpara fundit erdhi zëvendësimi me Dario Benedetton, me Cavanin që përjetoi “standing ovation” nga tifozët e pranishëm në stadium.
Cavani ka luajtur në Europë me skuadra si Napoli, PSG, Manchester United, Palermo dhe Valencia. Sipas marrëveshjes së firmosur, ai do të jetë pjesë e skuadrës argjentinase deri në dhjetorin e vitit 2024.
Ndërkohë që me kombëtaren e Uruguait, Cavani ka zhvilluar 136 ndeshje. Gjatë së cilave ia ka dalë të shënojë plot 58 gola.
Top Channel