Nën hetim dy administratorë në Ksamil, sekuestrohen 432 shezlonge e 216 çadra të pa autorizuara

18/08/2023 10:54

Dy administratorë në plazhet e Ksamilit po ndiqen penalisht, pasi kishin vendosur shezlonge dhe çadra në mënyrë të pa autorizuar dhe nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

Në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin, janë seksuestruar 432 shezlonge dhe 216 çadra.

Në plazhin e quajtur “Pema e thatë”, Ksamil, u sekuestruan 328 shezlongë dhe 164 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. I., 39 vjeç, banues në Sarandë.

Në plazhin e quajtur “Laguna”, Ksamil, u sekuestruan 104 shezlongë dhe 52 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në Berat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.

Top Channel