Kreu pesë vjedhje në Tiranë, tre prej tyre me dhunë, arrestohet autori/ Në pranga dhe një tjetër

18/08/2023 10:30

Në kuadër të operacionit “The runner”në Tiranë, është arrestuar një 40-vjeçar, pasi dyshohet se ka kryer pesë vjedhje të ndryshme, ku tre prej tyre të kryera me dhunë.

Në pranga është vënë edhe një 41-vjeçar që merrte sendet e vjedhura nga 40-vjeçari dhe i shiste në dyqanin e tij.

Për 40-vjeçarin Ardit Shehu, banues në Tiranë rëndon veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë”, ndërsa për 41-vjeçarin Ramadan Palushi po nga Tirana, rëndon vepra penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale apo veprimtaria kriminale“.

Gjithashtu janë sekuestruar një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.

Nga veprimet hetimore dyshohet se Ardit Shehu më 2 gusht ka vjedhur sendet personale në një automjet në rrugën “Ali Demi”. Më 10 gusht, ai ka vjedhur me dhunë çantën e një shtetaseje në rrugën “Ali Demi”. Më 11 gusht, ka vjedhur një ekran (monitor) në një biznes në Rrugën e Elbasanit dhe më 16 gusht, Ardit Shehu i ka vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një shtetaseje, në rrugën “Xhanfize Keko”, si dhe i ka vjedhur me dhunë aparatin celular një shtetasi, në Rrugën e Elbasanit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel