McDowell takim me Ballën! SHBA e shqetësuar për ndërhyrjen në sistemet TIMS të Policisë së Shtetit

17/08/2023 12:50

I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, H. Martin McDowell, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla, në fokus të të cilit ishin bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe çështjet e sigurisë.

McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA për ndërhyrjen në sistemet TIMS të Policisë së Shtetit, si dhe shprehu gatishmërinë e SHBA-së në hetimin e çështjes.

 “I ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell u takua sot me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ata diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë. I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDowell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”- shkruhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane.

Nga ana tjetër, Balla theksoi se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është një proces, i cili sapo ka hyrë në një fazë të re dhe që do t’i shkohet deri në fund. Sipas ministrit, forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është një proces, i cili sapo ka hyrë në një fazë të re dhe që do t’i shkohet deri në fund. Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

Çdo gjetje, ankesë, informacion për thyerje të ligjit, normave etike dhe rregulloreve të brendshme do të hetohet plotësisht, duke vendosur theksin tek siguria e të dhënave dhe sistemeve sensitive. Kërkesa jonë për çdo formë të mundshme mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë për Ministrinë dhe Policinë e Shtetit po gjen mbështetje pozitive në këtë drejtim”— tha ndër të tjera Balla.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA