Në fund të shekullit, më shumë se dy miliardë njerëz do të jetojnë në vende ku i nxehti ekstrem do të jetë kërcënues për jetën.

Në hulumtimin e tyre më të fundit, studiues në Europë e Kinë dalin në përfundimin se një e pesta e popullsisë së botës do të përballet me këtë kërcënim.

Raporti me titull “Kostoja Njerëzore e Ngrohjes Globale”, i publikuar në revistën “Nature Sustainability”, tregon se disa zona në Indi, Nigeri dhe Indonezi do të bëhen pothuajse të pabanueshme për shkak të nxehtësisë ekstreme. India po përballet që tani me një valë të nxehti ekstrem, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për pasojat e rënda nga temperaturat e larta në shtatë shtete qendrore dhe jugore të vendit. Por edhe vendet e Europës, sipas njërit prej bashkautorëve të raportit, profesorit të Universitetit të Exeter, Tim Lenton, do të bëhen më të nxehta e më të thata.

“Zonat me temperatura të larta nuk janë të mira për jetën, ndërsa ato që ndikohen nga shirat monsune, i nxehti dhe lagështia ofrojnë kushte më të mira për jetën. Dhe situata është e rëndë në zonat me temperatura shumë më të larta”, thotë  Lenton.

Sipas vlerësimeve më konservatore të studimit, në vitin 2100 temperatura do të arrijë 2.7 Celsius mbi nivelet që ishte në periudhën para zhvillimit industrial. Raporti nënvizon se nxehtësia ekstreme, apo vrasësi i heshtur sikurse përshkruhet nga ekspertët, do ta bëjë jetën të padurueshme në pjesën jugore të globit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA