Në Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi”, këtë sezon turistik, dera nuk mbyllet asnjëherë.
Turistë nga e gjithë bota, po kërkojnë të njohin të kaluarën e Shqiperisë, përmes fotografive të shkrepura ndër vite.
“Është një muze shumë interesant për ta vizituar. Ka shumë gjëra për të parë. Fotografitë e familjes Marubi janë shumë të bukura. Fotot antike,të qyteteve, jetës në Shqipëri, traditave gjithçka është interesante. Një muze të tillë kam parë vetëm në Marok, ku përmes fotove t’i udhëton në të kaluarën dhe njihesh me historinë dhe kulturën”, tha një turist.
“Një muze shumë i mirë që të prezanton jetën në Shqipëri në epoka të ndryshme, me traditat, veshjet, jetën e përditshme në fshatra dhe qytete. Më bëri shumë përshtypje se si organizoheshin ceremonitë e dasmave apo festave dikur. Edhe fëmijëve u pëlqeu shumë pasi kishin mundësi të njihen me të kaluarën”, tha një turiste.
Marubi, sivjet ka thyer rekordet e vizitueshmërisë. Libri i përshtypjeve dhe një pyetësor i vendosur në dispozicion të turistëve, ka ndihmuar fototekën për krijimin e një opinioni mbi pritshmëritë e vizitorëve.
Vitin e kaluar, prestigjozja “The Guardian” në një artikull të dedikuar kësaj shtëpie të fotografisë, e renditi “Marubin” si një ndër 10 muzetë më të mirë në Evropë.
Top Channel