Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mori emrin Ismail Kadare, si hapësira që përfaqëson kujtimin e shkrimtarit në mjediset e fakultetit të tij.
Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mori emrin Ismail Kadare, si hapësira që përfaqëson kujtimin e shkrimtarit në mjediset e fakultetit të tij.
Helena Kadare u shpreh “Këto korridore janë vendi ku unë kam studiuar, ashtu sikurse Kadare. Gjithçka është shumë bukur, lum ata që do të vijnë në këtë bibliotekë kaq të pasur që do të mbajë emrin e Kadaresë që për fat të mirë, rinia e nderon”.
Në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, në ambientet e fakultetit u mbajt ceremonia-homazh “Gjithkush Kadarenë e vet”.
Ndërsa Mark Marku tha “Nuk mund të kishte një emër më të denjë për hapësirën ku studentët dhe pedagogët zhvillojnë dijen dhe zhvillojnë mendimin kritik. Ky emër do t’u kujtojë brezave të ardhshëm se dija dhe letërsia janë themelet më të forta të identitetit tonë kulturor”.
“Më pëlqen të mendoj se Ismaili bashkë me personazhet e tij, hera herës shëtis dhe endet në këtë bibliotekë, në raftet e saj, sikurse e mbaj mend të vërtitej ndër vite në bibliotekën e Rrugës së Dibrës apo në bibliotekën që frekuentonte në Paris”, shprehet Gresa Kadare, vajza e shkrimtarit.
Personalitete të letrave dhe jetës akademike kujtuan takimet e para me veprat e Kadaresë, që më penën e tij u bë një urë mes përvojave personale dhe kujtesës kolektive.
“Ky largim i ngjan më tepër një trilli letrar sepse jeta e vërtetë e shkrimtarëve, është jeta e letërsisë. Aty ku ne e rigjejmë Kadarenë sa herë e lexojmë”, u shpreh Persida Asllani.
Artan Fuga tha për Top Channel “Dua të kujtoj, se si unë, si një 18-vjeçar, përjetova momentin kur doli ‘Dimri i vetmisë së madhe’. Nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës e morën si ujë të pakët. Me atë libër u fut në krizë ora e mësimit të letërsisë, shkaktoi një ndarje të madhe në shoqërisë”.
Për studiuesit, Kadare ishte shkrimtari që lartësoi estetike letrare në Shqipëri, por në sytë e mbesës, ishte gjyqi më i veçantë…
Doruntina Siliqi, mbesa e shkrimtarit tha “Më rastiste të mendoja se ajo butësi ishte në secret që e ndanim vetëm ne të dy. Më kujtohet kur ai e ekzagjeronte qëllimisht pamjet e tij të sertë, pastaj sytë tanë takoheshin dhe shkëmbenim një buzëqeshje kuptimplotë”.
Në këtë ditë përkujtimore, u botuan tre krijime të Kadaresë, që nuk janë botuar më parë si libër më vete.
“E bëra me qëllim që lexuesi të lexojë këto libra. Një libër i palexuar është një libër i ri”, shprehet Bujar Hudhri.
Për botuesin, ky është një akt mirënjohjeje ndaj një autori që i dha letërsisë shqipe përmasë botërore, po edhe një përgjegjësi ndaj lexuesve që vazhdojnë ta lexojnë dhe ta rizbulojnë Kadarenë.
Top Channel