
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Senatorin amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e ShBA-së, i shoqëruar nga Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kryeministri falënderoi Senatorin Reed për mbështetjen e pandërprerë të ShBA-së ndaj Kosovës në çdo fazë të çlirimit, pavarësimit dhe zhvillimit.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Iowas në Kuvajt.
Kurti njoftoi Senatorin Reed edhe për zhvillimet e fundit, arritjet kryesore të vendit dhe sukseset e qeverisjes, duke ndarë me të të dhënat më të fundit të treguesve ekonomikë dhe demokratikë që dëshmojnë progresin e arritur.
Senatori Reed veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij. Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive.
Top Channel