Numri i maturantëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2023 – 2024 ka pësuar rënie, ndërkohë që e kundërta do të ishte me interes për boshllëkun e krijuar në sistemin shëndetësor nga largimi i mjekëve drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE-së.
Një vit më parë, aplikuan afro 3 mijë maturantë për mjekësi, këtë vit janë regjistruar gati 40% më pak, vetëm 1800 maturantë. Zëvendës dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Dr Ilir Alimehmeti, thotë se ky reduktim i numrit të aplikantëve është pasojë e vendimit më të fundit, për të mos i pajisur me diplomë studentët e mjekësisë deri kur të përmbushin detyrimin 5 vite shërbim në vendin e tyre.
“Sa herë vendosen bllokime të tilla, qoftë edhe dëmtim i imazhit të një profesioni të caktuar, është shumë e qartë që menjëherë do të ketë më pak kërkesa për atë lloj profesioni. Do të ketë studentë që i largohen këtij drejtimi, ndoshta sistemit privat brenda Shqipërisë apo menjëherë jashtë kufijve”.
Për të rritur cilësinë e studentëve të mjekësisë, përveç mesatares 8.5 në maturën shtetërore, ata do të duhet që këtë vit t’i nënshtrohen edhe një testi vlerësimi.
Për vitin 2023 -2024 janë rritur kuotat e pranimit të studentëve në vit të parë, duke shkuar 450.
Top Channel