Video/ Shpenzoi mijëra euro për t’u transformuar në qen, japonezi del për herë të parë në publik

29/07/2023 16:20

Një japonez, i cili shpenzoi mijëra euro për t’u shndërruar në një qen, së fundmi bëri paraqitjen e tij të parë publike në rrugë. Një kanal televiziv gjerman regjistroi edhe reagimet e njerëzve dhe kafshëve ndaj kostumit të tij.

Në videot e mëparshme të postuara në kanalin e tij në YouTube, njeriu i çuditshëm, i njohur me pseudonimin “Toco”, shihet duke luajtur në oborrin e shtëpisë me të katër këmbët dhe duke kryer truke të ndryshme.

Por mesa duket, “Toco” mendoi se ishte një moment i mirë për ta ndarë me të tjerët look-un e tij të ri dhe kështu doli në rrugë, për të bërë shëtitjen e tij i shoqëruar,  si çdo qen normal.

Në videon që postoi në kanalin e tij me titull “Dua të jem kafshë”, Toco shihet duke shëtitur në një park dhe sillet si një qen; nuhat qentë e tjerë dhe rrokulliset në tokë. Paraqitja e tij e çuditshme tërhoqi vëmendjen e shumë kalimtarëve, por edhe të atyre me katër këmbë.

“U bëra qen, duke përmbushur një ëndërr që kisha që kur isha fëmijë”, thuhet në titrat e videos, e cila ka grumbulluar më shumë se 1 milion shikime.

Toco shpjegon me shkrim, pasi nuk flet kurrë në videot e tij, se gjithmonë ka pasur dëshirë të jetojë si kafshë, prandaj ka zgjedhur të investojë në një kostum qeni. Siç tregon ai, arsyeja pse fsheh identitetin e tij si njeri dhe nuk shfaq fytyrën është sepse nuk dëshiron të gjykohet nga rrethi i tij shoqëror.

Kompanisë japoneze Zeppet, e cila prodhon kostume për reklama dhe filma, iu deshën 40 ditë për të krijuar kostumin e japonezit, që kushtoi më shumë se 12 mijë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA