Gjykata e Tiranës vendosi një ditë më parë sekuestrimin e kompanisë Tibo, pas një hetimi disa mujor, ku u zbulua një skemë mashtrimi prej 2.2 milionë eurosh.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e kompanisë TIBO që publikohet sot nga Top Channel, pas kërkesës së prokurorëve Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani deri në përfundim të hetimeve, gjykata vendosi sekuestro preventive të Tibo.al, Tibo Shpk dhe Megaware.
Bazuar në dosjen e gjykatës, skema e mashtrimit është zbuluar pasi qytetarja Mirlinda Heidorn ka kallëzuar Adnan Mahmutajn i cili ka 32% të aksioneve në Tibo shpk.
Sipas dosjes që disponon Top Channel, Mahmutaj i ka thënë kallëzueses Mirlinda Heidorn se i duhet një shumë prej 2.2 milionë eurosh për vijimin e kontratës që kishte me shtetin italian, shumë të cilën kallëzuesja e ka kredituar. Përfitues i drejtpërdrejtë i shumës 2.2 milionë euro është “Megaware Shpk” dhe garantorë janë “Tibo Comunication shpk” dhe “Tibo Al” shpk, duke parashikuar në kontratë një komision mujor prej 25.000 euro.
Kallëzuesja shpjegon se është takuar me Mirgen Zecallari, aksioner në kompanitë e lidhura, i cili e ka siguruar se nuk do t’i marrë paratë e kredituara, pasi Tibo është në pamundësi. Ajo nuk ka mundur t’i marrë paratë, edhe pse kontrata parashikonte një afat 12 mujor.
“Shtetasi Adnand Mahmutaj po hetohet për veprën penale “Mashtrimit me pasoja të rënda”, te parashikuar nga Neni 143/3 i Kodit Penal. Kjo për faktin se ky shtetas është kredituar nga shtetësja Mirlinda Heidorn dhe me pas ka tjetërsuar kuotat e kompanive garantore. Me pas, nëpërmjet veprimeve të tij, duke i ri-blerë kuotat e dhuruara më parë, ka rënduar pozitën financiare të Tibo Comunication, konkretisht njëra nga kompanitë garantore në kontratën me shetasen M. H., Tibo Comunication si dhe kompanitë e lidhura me të, referuar të dhënave te kapitali, krijohet bindja se kanë aftësi paguese, për shlyerjen e detyrimit”, shkruhet në dosje.
Sipas faqes Weblajm, e cila publikoi një ditë më parë vendimin për seksuestrimin e Tibo-s, hetimi rezulton se ka nisur fillimisht nga Krimi Ekonomik Tiranë për t’u ndjekur më pas nga Prokuroria e kryeqytetit.
Kujtojmë se muaj më parë Top Channel ka raportuar se kompania TIBO, pa pasur asnjë të drejtë shpërndarjeje përmes platformës së saj IPTV, ka piratuar duke transmetuar Top Channel dhe TV Klan në të gjithë botën.
TIBO po ashtu u shiste shqiptarëve sikur të kishte të vetën edhe kampionatet, La Liga, Premier Ligue, Bundes Liga dhe Copa Italia, ndërkohë që këto kampionate janë të blera me të drejta transmetimi vetëm nga DigitAlb. Operatori, pa asnjë lloj të drejte dhe në shkelje të plotë të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare transmetonte ngjarjet sportive të blera për dhjetëra miliona euro nga Digitalb.
Top Channel