Sarah Sjoestroem bëhet protagoniste absolute në Botërorin e notit që po zhvillohet në Fukuoka të Japonisë.
Notarja suedeze vendosi një rekord të ri botëror në garën e 50 m stil i lirë për femra në gjysmëfinalen e dytë të kësaj disipline.
Ishte një garë të cilën Sjoestroem e fitoi me kohën 23 sekonda e 61 të qindtat, një kohë kjo që ishte 6 të qindtat më e ulët se rekordi që ajo vetë kishte vendosur në 20 korrik të vitit 2017 në Budapest të Hungarisë.
Ajo që të bën përshtypje është se këtë rekord të ri botëror, Sjoestroem e vendosi vetëm pak minuta pasi ajo kishte fituar medaljen e artë në garën e 50 m stil flutur, titulli i saj i pestë botëror i saj në këtë disipline.
Garën e 50 m stil flutur, Sjoestroem e fitoi me kohën 24 sekonda e 77 të qindtat duke lënë pas kinezen Yufei Zhang me 25 sekonda e 17 të qindtat ndërkohë që medaljen e bronztë e fitoi amerikania Gretchen Walsh me 25 sekonda e 46 të qindtat.
Top Channel