Prokuroria ka nisur hetimet për dy procedime penale ne lidhje me çështjen e gurores së Borizanës, e cila shkatërronte shtëpitë e fshatit me shpërthimet.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke marë shkas nga interesimi i mediave, në bazë të njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, ju bën me dije se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 18.05.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.3223 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Me shkresën Nr.6422, të datës 25.05.2023, dosja i është deleguar për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë. Në vijim të materialit të referuar me nr.1466 nga Komisariati i Policisë Krujë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 19.06.2023 ka regjistruar procedimin penal nr.3872 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal. Çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake”, sipas njoftimit të prokurorisë.
Një ditë më parë, në një operacion të koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, policia gurorja që ndodhej 300 metra në distancë mbi fshatin Borizanë, në njësinë administrative Thumanë të bashkisë Krujë, me administrator Viktor Delia, është bllokuar.
Gurorja në bashkëpronësi të fisit Rraja u kthye në mollë sherri, duke degjeneruar në dhunë fizike që u ushtrua ndaj Jashar dhe Bilbil Majës, banorë të fshatit Borizanë.
Ata dhe banorë të tjerë prej kohe ankoheshin se gurorja i shkaktonte dëme tek shtëpitë për shkak të shpërthimit të minave, ndërsa kishin bërë edhe denoncime në polici.
Ndërsa dy pjesëtarët e fisit Maja ishin ulur për të negociuar me inxhinierin e gurores në një bar kafe në afërsi të aksit rrugor Fushë Krujë – Thumanë, aty ndodhi edhe ngjarja e dhunës ku persona me mjete të rënda dhe të armatosur rrahën në mënyrë brutale dy kushërinjtë.
Policia i ka identifikuar personat që ishin pjesë e sulmit dhe ka arrestuar 8 prej tyre, ndërsa gjashtë të tjerë janë ende në kërkim. Katër janë pjesëtarë të fisit Rraja dhe dy miq të tyre.
Ndërkohë, Rrahman Rraja i zgjedhur në zonën e Krujës ka dhënë dorëheqjen si deputet, duke kërkuar edhe falje publike për rastin, ndërsa i ka bërë thirrje djalit të tij të dorëzohet në polici.
Top Channel