Për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim, dhe armëmbajtjes, gjykata caktoi ‘arrest me burg’ për tre agresorët Ineidi Rraja, Eni Kullaj dhe Andi Rraja.
Si anëtarë të dyshuar të grupit që sulmuan me armë dhe shkopa bejsbolli Bilbil dhe Jashar Majën, vijojnë ende në kërkim Xhelal dhe Flamur Rraja, vëllezër të deputetit të dorëhequr Rrahman Rraja si dhe i biri Rexhep Rraja.
“Vura re se në lokal hynë shtetasit Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët ishin të armatosur me nga një armë të llojit pistoletë dhe kur janë afruar pranë tavolinës tonë më thanë shtrihu në dysheme”- rrëfen për policinë njëri nga të dëmtuarit i quajtur Bilbil Maja, mëson Anila Hoxha.
Për të katërtin e prangosur, Kujtim Përdakun , pronar i lokalit ku ndodhi sulmi gjykata vendosi detyrim paraqitje. Ai dyshohet se nuk vuri në dijeni policinë për ngjarjen dhe se nuk dorëzoi DVR. Në fashikullin që TCH disponon përmendet se shkak i sulmit barbar u bë shfrytëzimi i gurores në pronësi të fisit Rraja, që nga punimet ka dëmtuar disa banesa në zonën e Borizanës. Policia thotë se ndërmori një operacion me kontrolle të shumta dhe se në bashkëpunim me AKBn dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera bllokoi subjektin gurore
Njëherazi vijon të jetë në dispozicion të qytetarëve numri 112 nëpërmjet të cilit policia kërkoi ndihmë për informacion nga qytetarët për vendndodhjen e katër të kërkuarve të tjerë, për të cilët askush nuk ka referuar të dhëna. Dëshmia e dy të plagosurve tregon se mes sulmuesve anëtarë të familjes Rraja, ishte edhe pronari i gurores, një person i njohur në zonë me pseudonimin ‘ Caku”.
Teksa të dëmtuarit deklarojnë më tej se u janë drejtuar disa institucioneve për të marrë zgjidhje për shqetësimin e tyre, por nuk kanë gjetur mbështetje. Tanimë që gjyqtari e bëri detyrën e tij dhe i la në burg të dyshuarit, i takon drejtësisë të hedhë dritë mbi arsyet se përse në radhë të parë policia e Krujës ndër vite, por dhe institucionet nuk e kryen detyrën.
Top Channel