Presidenti i Serbisë akuzoi të enjten Kosovën për siç tha “spastrim të heshtur etnik” të serbëve, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të kërkojë një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në një konferencë me gazetarë në Beograd, ai la të kuptohet se Serbia mund të ndërmarrë më pas “veprimtari” të papërcaktuara për të ndalur atë që ai e përshkroi një “përndjekje” të serbëve në Kosovë.
“Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë, siguria e tyre, por edhe dinjiteti dhe mbijetesa njerëzore janë në rrezik, ne do të kërkojmë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit. Pse nuk e kemi kërkuar më parë? Sepse ne e dimë se kjo është gjëja e fundit që duhet të bëjmë para se të ndërmerren disa veprimtari, të cilat janë të vështira, shumë të vështira, por nuk kemi të drejtë të lejojmë përndjekjen dhe spastrimin etnik të popullit tonë”, tha presidenti serb.
Tensionet Kosovë – Serbi u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill në prill, të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për vetëqeverisje.
Dhuna shpërtheu midis serbëve dhe forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, duke lënë pas vetes dhjetëra të plagosur
Diplomacia perëndimore kërkon uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
“Serbia i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian. Jemi të gatshëm të punojmë më tej për shtensionimin, por kjo nuk varet vetëm nga ne”, tha presidenti serb duke përmendur arrestimet e fundit të serbëve në Kosovë për të mbështetur pretendimin e tij për spastrim etnik, të cilin ai e përshkroi si “të planifikuar”, “të organizuar mirë” dhe të mbështetur nga “disa qarqe ndërkombëtare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe uljes së pranisë së njësive të posaçme të policisë në veri, krahas vendosjes së sundimit të ligjit.
Presidenti serb tha sot se është duke shqyrtuar mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të armëve dhe municioneve nga Serbia, meqë siç tha, “interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar”.
“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Serbia është e gatshme të mbrojë veten nga të gjithë ata që do të mund të dëshironin të rrezikonin tërësinë, sovranitetin dhe jetën e qytetarëve tanë”, tha ai.
Presidenti serb foli një ditë pasi u takua me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, i cili vizitoi të dy vendet në një përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të çuar përpara bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-a për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjithashtu këtë javë, kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut udhëtuan në Serbi dhe Kosovë, duke kërkuar uljen e tensioneve.
Vetëm katër muaj më parë, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti u pajtuan për një plan të hartuar nga Bashkimi Evropian për t’u dhënë fund armiqësive dhe për të ndihmuar përmirësimin e marrëdhënieve, por tensionet kanë vazhduar dhe palët akuzuan njëra-tjetrën për nxitjen e tyre.
Tensionet kanë nxitur frikën për ripërtëritjen e konfliktit në rajon, ku gjatë viteve 1998 – 1999 u vranë mbi 10 mijë veta, pjesa më e madhe shqiptarë të Kosovës,. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.
Top Channel