Artizanët zbukurojnë qytetin/ Qëndismat tradicionale veshin pemët në qendër të Korçës

04/07/2023 19:59

Një grup artizanesh nga Korça dekoruan pemët e zonës këmbësore me qëllim që jo vetëm të rizgjojnë dëshirën te brezat më të rinj për t’i ruajtur këto tradita, por edhe t’i promovojnë ato.

Punimet e dorës të realizuara nga gratë dhe vajzat korçare, të cilat për vite me radhë kanë shërbyer si një element dekorues për çdo shtëpi, kanë zbukuruar pemët në qendër të qytetit me motive dhe ngjyra nga më të ndryshmet. Një grup artizanesh korçare së bashku me disa vajza të mbledhura në oborret e shtëpive punuan me grep për të realizuar veshjet për trungjet e gati 60 pemëve duke sjellë një dekor zbukurues për një prej zonave më të frekuentuara të qytetit. Më të moshuarat tregojnë se tradita duhet përcjellë nga njëri brez te tjetri, ndërsa më të rejat duken entuziaste që po përvetësojnë këtë pjesë të artizanatit.

Në kushtet kur artizanati po humbet gjithnjë e më shumë dhe artizanet e mbetura janë shumë pak, kjo nismë është një hap që rizgjon shpresën për mbijetesën e trashëgimisë sonë për të mos e lënë të zhduket.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA