Çështja ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë, caktohet data se kur do të mbahet seanca gjyqësore Pas dhënies të vendimit nga gjykata Lezhë për burgim të përjetshëm për Ruben Saraivën, vjen reagimi i parë nga familja e Ardian Nikulajt.
Ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, familja e biznesmenit të vrarë në barin e hotelit të tij në Shëngjin, deklaron se ata kishin kohë që e prisnim këtë vendim dhe e shikojmë si një hap përpara në bërjen drejtësi për Ardianin.
“Barbaria e ekzekutimit me gjashtë plumba të Ardianit nga i dënuari drejtësisë shqiptare sot Ruben Saraiva, është një plagë që nuk do të mbyllet kurrë posaçërisht për fëmijët e Ardianit që po rriten pa ngrohtësinë e babait të tyre. Pavarësisht vendimit të sotëm për Ruben Saraivën ne vijojmë të jemi të lënduar nga fakti se Ardiani i trajtojë si miq që të gjithë britanikët ardhur në hotelin e tij, por në fakt ata kishin ardhur me qëllim për ta survejuar e të vritej më pas nga bashkëpunëtori i tyre Ruben Saraiva”, shprehet familja.
Familja e Ardian Nikulajt shpreh shqetësimin se ende përpara drejtësisë shqiptare nuk ndodhen britanikët të cilët erdhën me mision për ta vëzhguar të afërmin e tyre e kaluar informacionin tek ekzekutori.
“Ne u jemi falënderues oficerëve të policisë Lezhë që hetuan vrasjen, zyrës së Interpol Tiranës të cilët bënë gjithçka për ekstradimin nga Maroku të Ruben Saraivës, përfshi prokurorët e çështjes për çuarjen përpara drejtësisë të Ruben Saraivës por jemi të shqetësuar, nga vonesa në ekstradimin e të pesë të arrestuarve në Angli prej vitit 2023, si të përfshirë në vrasjen e Ardianit. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë drejtësi të plotë për Ardianin dhe qetësi për familjen Nikulaj, nëse nuk zbulohen dhe dalin përpara drejtësisë, urdhëruesit dhe financuesit e vrasjes”, thanë ata.
Deri më tani hetimet e prokurorëve të Lezhës, kanë ngritur një pistë se kush mund të jenë, porositësit dhe financuesit e vrasjes të Ardian Nikulajt por nuk kanë mundur ende ta provojnë përmes provave.
Top Channel