Video/ U kapën gjatë natës në Elbasan, policia shoqëron me autobus 45 të arrestuarit drejt Tiranës

29/06/2023 11:20

Policia ka vënë në dispozicion një autobus për t’i dërguar drejt Tiranës të shoqëruarit e sotëm në një operacion të madh policor në Elbasan.

Një pjesë e tyre janë ende me rroba gjumi pasi janë marrë gjatë natës.

Sipas Policisë së Shtetit janë ndaluar 45 persona dhe janë shpallur në kërkim shtatë të tjerë, për veprat penale shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit ku u angazhuan 490 punonjës policie u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale ku u sekuestrua kokainë heroinë, armë dhe një shumë parash. Konkretisht 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zviceriane.

Gjithashtu 7 persona u shpallën në kërkim, ndërsa 29 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë.

Operacioni u shpërnda në Elbasan, Cerrik, Peqin, Librazhd, Belsh, Pogradec dhe Përrenjas.

Disa nga të ndaluarit ishin pjesë e grupeve kriminale, ku një nga këta grupe u godit plotësisht ndërsa tre të tjerë pjesërisht.

Familjarët e të arrestuarve të shqetësuar kanë treguar se një numër i madh efektivësh të RENEA-s i kanë bërë kontroll në banesa për armë dhe lëndë narkotike dhe kjo situatë i ka trembur shumë.

Top Channel