Shpërthimi i nëndetëses, gjenden pjesë të Titanit dhe mbetje njerëzore

29/06/2023 09:40

Roja bregdetare e SHBA-së njoftoi se mbetje të supozuara njerëzore janë gjetur brenda trupit të copëtuar të nëndetëses “Titan”.

Pjesë nga batiskafi që pati një shpërthim në bord gjatë zhytjes në Atlantik, janë dërguar tashmë në St John’s të Kanadasë. Ekspertë amerikanë do të kryejnë një analizë zyrtare të mbetjeve, teksa hetimet për të përcaktuar shkaqet e episodit fatkeq, janë ende ne fazat e tyre të hershme. Bordi Detar i Hetimit i Rojës Bregdetare do të transportojë provat në një port amerikan për analiza dhe testime më të sofistikuara.

Kreu i tij, kapiteni Jason Neubauer, pohoi në një deklaratë se “mbetet ende një punë e konsiderueshme për t’u bërë për të kuptuar faktorët që çuan në humbjen katastrofike të Titanit dhe për të ndihmuar që një tragjedi e ngjashme të mos përsëritet më kurrë në të ardhmen”.Të pesë personat në bordin e “nëndetëses” humbën jetën në 18 qershor pasi ajo shpërtheu gjatë zhytjes për të parë nga afër mbetjet e Titanikut të fundosur në vitin 1912, që ndodhet në një thellësi prej 3,800 metra në Atlantikun verior.

Pasagjerët ishin kreu i OceanGate, i cili organizoi zhytjen, 61-vjeçari Stockton Rush; Eksploruesi britanik Hamish Harding, 58 vjeç; Shahzada Dawood, 48 vjeç, dhe djali i tij, Suleman Dawood, 19 vjeç; dhe zhytësi francez Paul-Henry Nargeolet, 77 vjeç. Zyrtarët fillimisht qenë shprehur skeptikë për mundësinë e gjetjes së ndonjërit prej trupave.

Top Channel