Zhduket eksploruesi që zbuloi shpellën në zonën famëkeqe ‘Area 51’ pas raportimit për ‘vibracione të forta’ (fotot)

28/06/2023 17:10

Eksploruesi dhe komentatori i YouTube, Kenny Veach nuk është parë më që kur u nis për të eksploruar një ‘shpellë sekrete’ pranë zonës së ndaluar ‘Area 51’ në SHBA ku përflitet se mund të mbahen qenie jashtëtokësore.

47-vjeçari me eksperiencë në udhëtime kishte zbuluar fillimisht shpellën në zonën ‘Area 51’ në vitin 2014.

Por pasi nisi të dokumentonte zbulimin dhe të fliste për të në rrjetin YouTube, Veach u nxit të rikthehej aty nga ndjekësit e tij për të hetuar më tej.

Por askush nuk kishte parashikuar se udhëtimi i tretë i komentuesit drejt shpellës do të ishte i fundit.

Pas zbulimit fillestar të shpellës në 2014, Veach komentonte për të në një video të publikuar nga grupi i studimit të jashtëtokësorëve ‘Sirius Disclosure’.

“Në një prej udhëtimeve të mia pranë bazës ajrore Nellis Air Force zbulova një shpellë të fshehur. Hyrja e saj kishte një formë të përkryer shkronje ‘M’. Teksa hyra brenda saj i gjithë trupi nisi të më vibronte”.

“Prandaj nisa të frikësohesha dhe u ktheva prapa”.

Por megjithë frikën e tij, i nxitur nga ndjekësit, Veach vendosi të kthehej për të hetuar.

Siç raporton revista ‘Nevada’, kësaj radhe 47-vjeçari mori me vete një pistoletë 9-mm për të hetuar terrenin e vështirë dhe gjetur shpellën pranë bazës ushtarake.

Por Veach nuk arriti të gjente shpellën misterioze.

Kështu që iu desh të rikthehej për herë të tretë më 10 nëntor 2014, pasi ndjekësit e tij kishin mbetur të zhgënjyer nga ekspedita.

Disa prej tyre kishin parashikuar më të keqen duke e paralajmëruar në faqen e Veach: “Jo! Mos shko aty, edhe nëse e gjen hyrjen e shpellës mos hy brenda, nuk ke për të dalë më prej saj.”

Dhe në fakt burri nuk u kthye nga udhëtimi që duhet të ishte vetëm një-ditor dhe miqtë e familjarët nisën kërkimet për të.

Celulari i ekskursionistit ishte gjetur në një galeri të braktisur miniere dhe më pas gjurmët ishin ftohur.

Prej atëherë shumë teori dhe versione ekzistojnë në internet për atë që i ka ndodhur Veach, siç janë zbulime të mundshme sekretesh qeveritare, zbulime të forcave aliene, sulme nga kafshët e egra apo dhe inskenim i vdekjes.

Tashmë e dashura e tij bën komentet në rrjetin YouTube për të trajtuar çështjen e zhdukjes.

Ajo shpjegon se kishte bërë ekskursione me Veach thujase në të gjithë shkretëtirën e Nevada, duke studiuar qytezat e braktisura të minatorëve, duke thënë se ai ishte shumë më i guximshëm se ajo.

Më pas e dashura e Veach – e cila përdor në rrjet emrin Sheryon Pilgrim – thotë se eksploruesi mund të ketë vdekur nga vetëvrasja. Ajo thotë se Veach ka luftuar prej vitesh depresionin dhe refuzonte të merrte mjekime nga doktorët.

Pilgrim tha: “Ai kishte lënë punën rreth një vit para se të zhdukej. Kërkimet për të nisën dy ditë pas njoftimit tim. Grupet e kërkimeve kishin 30 njerëz dhe një helikopter, të cilët nuk gjetën asnjë gjurmë të Kenny apo të sendeve të tij të kampingut.

As trupi i tij nuk është gjetur dhe misteri mbetet ende i pazgjidhur.

FOTO GALERI
1/5
47-vjeçari me eksperiencë në udhëtime kishte zbuluar fillimisht shpellën në zonën ‘Area 51’ në vitin 2014.

Top Channel