Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kërkon që ai t’i japë përparësi zgjidhjes së situatës së përkeqësuar të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një letre të hapur, tetë senatorë demokratë dhe republikanë në SHBA inkurajuan shefin e Shtëpisë së Bardhë të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Europian për ç’tensionimin e situatës.

Situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë. Tensionet kulmuan në akte dhunë në 29 maj kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët. E ndërsa Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar, komuniteti ndërkombëtar ka hedhur përgjegjësinë kryesisht mbi Kosovën. Bashkimi Europian është duke kërkuar prej saj që të mbajë zgjedhje të reja lokale në veri, si dhe të tërheqë policinë speciale nga ato zona.

Letra e tetë senatorëve i bën thirrje presidentit amerikan që “të ushtrojë presion diplomatik, për t’i dhënë fund krizës aktuale”. Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel