Gjykata e Lartë shfuqizoi vendimin e këshillit të ministrave datë 26 korrik 2018 në të cilin qeveria vendosi zgjerimin e parkut kombëtar të malit të Tomorrit me 1383 hektarë të tjerë, që u konsiderua aso kohe si një lëvizje për të minimizuar aktivitetin e guroreve.

Pesë gjyqtarët e kolegjit administrativ të Gjykatës së Lartë sikurse edhe Gjykata e Apelit Administrativ, i japin të drejtë paditësit, një shoqatë e veprimtarisë minerare e cila kundërshtoi qeverinë duke thënë se shpallja e zonës së mbrojtur mjedisore është kryer jo në përputhje me planin kombëtar të zonave të mbrojtura.

Sipas Gjykatës së Lartë ministri i Turizmit dhe Mjedisit veproi në kundërshtim me ligjin duke i dërguar Këshillit të Ministrave propozimin për zgjerimin e zonës së mbrojtur, në mungesë të dokumentacionit të domosdoshëm.

Gjykata e Lartë thekson se propozimi duhet të ishte konsultuar edhe komunitetin e zonës, me subjektet privatë të prekura apo të interesuara,  sa kohë kishin të drejtën e kundërshtimit për përfshirjen e pronës private si zonë e mbrojtur.

Konkretisht vëren Gjykata e Lartë mungonte vendimi i Këshillit Kombëtar të territorit për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konkrete. Në një dokument që i përket 2019 të dorëzuar gjatë gjykimit, rezultoi se nga shtatori i 2015 e deri në momentet e lëshimit të shkresës, këshilli nuk kishte miratuar asnjë vendim për parkun kombëtar Mali i Tomorrit.

Vlerësimi i kritereve për shpalljen e një zonë të mbrojtur thuhet më tej në vendim nuk kryhet në zyrat e institucioneve publike, por ato kanë nevojë për ekspertizën e institucioneve akademike, ekspertë të fushës por edhe nga banorët.

Rekursi i palëve të treta Ministria e Turizmit, bashkia dhe avokatura e shtetit të cilat kërkuan që çështja të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese nuk u konsideruan të bazuara nga Gjykata e Lartë. Ky vendim u hap rrugë për të fituar subjekteve private, të tipit gurore të cilat kanë ngritur padi për shpërblim dëmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA