Të bllokuar në det, në pamundësi për t’u kthyer në breg, Policia Kufitare Dhërmi shpëton turistët çek

17/06/2023 21:01

Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve çek që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues tip kajk, për shkak të dallgëve të larta.

Ditën e sotme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë ka marrë njoftim për dy turistë që ishin duke lundruar në det, në plazhin e Livadhit, me një mjet lundrues kajk, kishin mbetur të bllokuar në det për shkak të dallgëve të larta.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu shkuar në ndihmë turistëve çek.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në vendin ku kishin ngelur turistët dhe kanë shoqëruar mjetin e tyre lundrues me mjetin e Policisë Kufitare, deri në breg. Dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e Policisë që iu shkuan në ndihmë.

Policia e Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë“- thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel