Javën e ardhshme pritet të caktohen raportuesit për Kosovën nga Këshilli i Evropës, pas kalimit të fazës së parë për anëtarësim më 24 prill.

Raportuesit pritet të vijnë në Kosovë dhe të hartojnë raporte për çështjet juridike, politike dhe për barazi e të drejtat e komuniteteve. Deri më tani janë caktuar vetëm dy juristë që nuk janë deputetë në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, të cilët do të bëjnë raportin e parë për Kosovën në lidhje me kushtetutshmërinë dhe të drejtat e minoriteteve.

Në MPJD janë optimistë se Kosova do të kalojë edhe fazat e radhës për anëtarësimin e plotë në këtë institucion ndërkombëtar, dhe se nuk ka asnjë sinjal se zhvillimet e fundit në Kosovë do të stopojnë procedurat e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se pas caktimit të raportuesve për Kosovën, në mbledhjen e radhës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, situata e anëtarësimit në këtë institucion do të jetë më e qartë.

Sidoqoftë, ai thekson se lobimi i tyre është që procesi i anëtarësimit të shkojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por gjithmonë duke u bazuar në meritokraci dhe jo të ndërlidhet me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me Këshillin e Evropës.

Ahmeti shton se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka të bëjë me kriteret e demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, në të cilat sipas tij, Kosova ka përparim të jashtëzakonshëm në këto fusha.

Andaj, ai thotë se tensionimi i situatës në veri dhe raportimet për masa shtrënguese të BE-së ndaj Kosovës nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se situata politike në Kosovë dhe acarimi i raporteve të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë mund të ndikojë në tërë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai thotë se procesi i kalimit të fazave të tjera për anëtarësim në KiE do të jetë i vështirë për Kosovën, por shton se institucionet duhet të angazhohen intensivisht në procesin e lobimit për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare në fazat vijuese.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Fazën e parë për anëtarësim në këtë institucion e kaloi dy muaj më parë, më 24 prill të vitit 2023.

Pas hartimit të raporteve për Kosovën, të njëjtat pritet të shkojnë për votim në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Evropës, ndërsa si fazë e fundit për anëtarësim është votimi i serishëm në Komitetin për Punë të Jashtme të KiE-së, por kësaj radhe në nivel të ministrave.

Bashkimi Evropian vazhdimisht është duke paralajmëruar Kosovën për vendosjen e masave shtrënguese në procesin e saj eurointegrues, për shkak të mosdepërshkallëzimit të situatës në veri.

Top Channel