Tre policë në veri të Kosovës janë marrë peng nga forcat speciale serbe.

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre policët kufitarë janë marrë gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, në komunën e Leposaviqit.

Sipas një media serbe bëhet fjalë për Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafa Shemin. Ata kanë publikuar foto dhe video ku shihen tre policët të çarmatosur të shtrirë në tokë, ndërsa më pas i marrin me makinat e tyre.

“Përveç armëve, me to u gjetën edhe pajisje vëzhgimi, radiokomunikime dhe harta. Fjala vjen, mediat e Prishtinës tashmë kanë nisur lajmin se forcat speciale të Kurtit janë rrëmbyer në territorin e Kosovës dhe Metohisë, por pala jonë ka prova të pakundërshtueshme se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë qendrore”, shkruan media.

Sipas policisë së Kosovës, tre policët kanë qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ata kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur,  ku janë nisur njësi shtesë të PK-së, të cilët sapo arritën kanë gjetur vetëm makinën e policëve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka marrë peng 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, shkruan ai.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA