Arsimi shihet si një mënyrë për të ndryshuar të ardhmen. Në Shqipëri e drejta e arsimimit është e garantuar me Kushtetutë, për të gjithë shtetasit pa asnjë lloj dallimi.
Qëllimi i sistemit arsimor është të ndërtojë dhe të zhvillojë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera që kërkon shoqëria demokratike; të kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëqenien vetjake dhe të shoqërisë shqiptare dhe të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës. Po ku gjendet sot arsimi shqiptarë?
Fiks Fare bëri një vëzhgim në disa shkolla publike të Tiranës. Dhe ajo që u pa nga ky vëzhgim ishte zhgënjyes . Nxënësit nuk njihnin as personalitetet emrat e të cilëve mbajnë shkollat ku ata mësojnë.
Figura të njohura të kombit në fusha të ndryshme , sot nuk njihen nga pasardhësit e tyre , madje veprimtaria dhe emrat e tyre për shumë duken qesharak.
Nxënës nga klasat fillore e deri në arsimin parauniversitar nuk njohin heronjtë, rilindasit dhe as drejtuesin e parë të Shqipërisë së pavarur Ismail Qemalin. Fiksi pyeti në shkollat që mbajnë emra si Sami Frashëri, Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi, Andon Zako Çajupi, Fan Noli etj. Disa përgjigjeshin se i njihnin si emra, por nuk dinin asgjë për veprimtarinë e tyre.
Të tjerët edhe emrat u dukeshin të çuditshëm. Disa u bënin bisht pyetjeve duke u larguar, e disa të tjerë kërkonin të mos përgjigjeshin pasi do të ktheheshin në meme. Të pyetur edhe në prezencë të mësuesve , këta të fundit pohonin se nxënësit e dinë por nuk përgjigjes ” se bëjnë shaka”.
Ndërkohë që vetë nxënësit me largimin e mësuesit pohonin se nuk dinin asgjë në lidhje me personalitetit, emrin e të cilit mbante shkolla ku studionin.
Fiksi gjithashtu pyeti edhe nxënësit e shkollave, emrat e të cilëve janë personalitete jo kaq të hasur në tekstet e historisë apo letërsisë shqipe dhe botërorë. Shkalla e njohurisë nga ana e nxënësve ishte po e njëjtë. Askush nuk i njihte. Pra janë këta nxënës që nesër do dalin në jetë e do marrin rolet e tyre në shoqëri, një shoqëri që po zhytet në injorancë. Duke filluar nga historia e vendit , nga rrënjët e tyre …
Top Channel