Draft-Statuti i propozuar nga Rama/ Kurti: T’ja prezantojë Vuçiçit në takimin e Ballkanit të Hapur

13/06/2023 11:47

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka komentuar ditën e sotme në një konferencë për mediat, draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Kryeministri Edi Rama.

Kurti u shpreh se nuk e ka lexuar draftin por i propozoi kryeministrit Rama, t’ja prezantojë Serbisë në takimin e Ballkanit të Hapur.

Ai shtoi se neni i tetë i Kushtetutës së Shqipërisë thotë që Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare te popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj dhe se Rama duhet ta dërgojë në Beograd atë draft për shqiptarët e Luginës.

“Jam i përkushtuar dhe besoj se pa e intensifikuar dialogun nuk zbatojnë marrëveshjes. Ajo që na duhet është sekuensimi zbatimit dhe prandaj kam shprehur kërkesën për takim. Unë kam ofruar vetë ta shkruaj draft statutin, por me atë rast kam kërkuar të ketë një dakordim me parimet bazë. Nuk kam dyshim që Edi Rama beson që propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu dhe krejt çka unë propozoj është që kryeministri Rama që këtë draft statut të ia prezantoj Vuçiçit në takimin e Ballkanit të hapur për shqiptarët në Medvegjë e Bujanoç. Neni 8 i Kushtetuës së Shqipërisë thotë që Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare te popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Duhet ta dërgojë në Beograd për Shqiptarët e Luginës. Unë nuk e kam lexuar.”– tha Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë javës së kaluar bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionin edhe në kuadër të marrëveshjes të Brukselit dhe të Ohrit.

Top Channel