Përshtati një magazinë për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave, arrestohet 62-vjeçari në Shkodër

12/06/2023 15:48

Malësi e Madhe, Shkodër/Megaoperacione paralele në të gjithë qarkun, kundër kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa.

Vijon faza e 10-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Qarku”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 62-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të kësaj faze të megaoperacionit.

I ndaluari, në bashkëpunim me vëllanë dhe bashkëshortet e tyre, kishte përshtatur një magazinë për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë vijuar intensivisht kërkimet dhe veprime të tjera procedurale dhe hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rasteve të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të goditura gjatë megaoperacionit antidrogë të koduar “Qarku”, si dhe për kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të tij.

Si rezultat, në vijim të fazës së 10 të këtij megaoperacioni, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim U. V., 62 vjeç, banues në fshatin Jeran. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar ndaj 62-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Më 7 dhjetor të vitit 2022, në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, Policia e Shkodrës zbuloi në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, një magazinë të përshtatur nga shtetasit U. V., Gj. V. (shtetas ende në kërkim, vëllai i shtetasit U. V.), F. V. dhe M. V. (bashkëshortet e 2 vëllezërve), për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa, me anë të llambave. Si rezultat i kësaj faze, u arrestua shtetasja F. V., u proceduan penalisht shtetasja M. V. dhe 4 punonjës të OSHEE-së, si dhe u sekuestruan 90 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe pajisje të ndryshme elektrike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA