Luftë kanabisit/ Kultivuesi kapet mat duke punuar parcelën, në kërkim edhe një grua

08/06/2023 12:35

Vijojnë operacionet policore antikanabis në të gjithë vendin. Policia ka asgjësuar 350 bimë të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Macukull të Matit

Po ashtu është arrestuar një 33-vjeçar, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, i cili u kap duke punuar në njërën nga parcelat që kishte kultivuar bimët.

I riu tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Ndërkohë në një tjetër operacion antikanabis që u zhvillua përgjatë 2 ditëve në Shkodër, policia gjeti dhe asgjësoi 510 fidanë dhe 2760 bimë kanabisi në fshatin Lotaj, të njësisë administrative Shalë.

Po ashtu në territorin e fshatit Pepaj, njësia administrative Shosh, u asgjësuan 2300 bimë të dyshuara narkotike si dhe 510 fidanë të mbjellë në kubikë.

Falë përdorimit të dronëve, në fshatin Lotaj, është konstatuar një shtetase që po kujdesej për bimët e dyshuara narkotike. Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetases 65 vjeçe.

Gjatë 2 ditëve të zhvillimit të kësaj faze, u angazhuan 40 forca policore dhe u përdorën 3 dronë, për kontrollin e territorit malor të disa fshatrave.

Top Channel