Turistë të huaj nga 3 kontinente mbërritën në vendin tonë me velierën turistike “Sea Cloud”.
Ky është lundrimi i parë i kësaj veliere për këtë vit drejt Durrësit. Ardhja e saj çel dhe sezonin e verës për turizmin ditor me kroçera. “Sea Cloud” po lundron nëpër Mesdhe me 53 turistë në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania.
Anija turistike u ankorua të enjten në kalatën 5 të portit dhe shumë prej udhëtarëve të saj vizituan Krujën dhe Tiranën, ndërsa një pjesë tjetër shijoi vizitat nëpër qytetin antik të Durrësit, kryesisht qendrën historike të qytetit, Amfiteatrin Antik dhe muret e fortifikimit, pasi muzeu arkeologjik dhe ai etnografik i kanë të mbyllura dyert këtë sezon.
Pas Durrësit, veliera me një personel prej 58 vetësh dhe turistët në bord do të lundrojë drejt Porto Palermos. Prej vitesh ajo e ka përfshirë Shqipërinë në itineraret e tureve të saj ne Mesdhe dhe gjatë këtij sezoni do të ndalojë edhe disa herë të tjera në portin e Durrësit.
Top Channel