Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino është paraqitur këtë të martë në SPAK, ndërsa nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, pasi ka përfunduar dëshminë për rreth një orë.
“A jeni në vete? Jo nuk kam lidhje, Ju lutem”, ka thënë ajo kur doli nga godina e SPAK.
Bino e kontaktuar nga Top Channel insistoi se kishte shkuar në SPAK për çështje personale dhe ishte paraqitur me dëshirën e saj.
Burime shumë të sigurta të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha thanë se ajo është thirrur për të dëshmuar në lidhje me hetimet për një tender pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa nuk dihet nëse është rasti i arrestimit të dy zyrtareve.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë ka qenë në qendër të diskutimeve ditët e fundit, pas arrestimit të sekretares së përgjithshme Joana Duro dhe zyrtares tjetër Laura Shteto, ndërsa ende nuk dihet nëse dëshmia e saj në SPAK ka lidhje me këtë ngjarje.
Top Channel