Policia e Shtetit është institucioni që monitoron zbatimin e ligjit, por jo rrallë herë, punonjës të saj janë në anën e kundërt të ligjit.

Në 5 muajt e parë të këtij viti, në pranga kanë rënë nëntë punonjës policie për vepra të ndryshme penale, kryesisht për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Rasti më i fundit ishte arrestimi i një punonjësi policie në Shkodër, i cili u denoncua nga “Fiks Fare” për veprën penale të vjedhjes.
Më herët, u arrestuan 2 punonjës të forcave shqiponja në kryeqytet, të cilët u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Edhe më i rëndë ishte arrestimi më 26 maj i punonjësit të policisë në Çorovodë, i cili u filmua nga “Fiks Fare”, teksa shiti një automatik kundrejt pagesës 500 mijë lekë të vjetra.

Ndërsa më 3 maj, në Pustec u arrestua nënkomisari Spartak Fejza, pasi duke drejtuar makinën në gjendje të dehur u përplas me një autobus.

Përveç arrestimeve, për dhjetëra punonjës policie janë referuar materialet në prokurori dhe për të tjerë është marrë masa e pezullimit nga detyra.

Top Channel