Kryeministri socialist spanjoll Pedro Sanchez ka thirrur sot zgjedhje të parakohshme në vend më 23 korrik, pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet lokale e rajonale. Megjithëse disa qytetarë mendojnë se “është një vendim i mirë”, të tjerë besojnë se është një rezultat i popullit të pakënaqur me qeverisjen aktuale.
30 vjeçarja Carla Jiménez nga Barcelona thotë se nuk ka votuar për asnjë nga partitë.
“Asnjë nga partitë nuk më binte dhe mendoj se kjo e fundit nuk është diçka e mirë pasi Pedro Sanchez ka humbur tashmë, edhe nëse thërret zgjedhje të reja, opinioni i popullit për të nuk do të ndryshojë”.
“Gjithashtu ai ka zgjedhur një datë kur njerëzit janë me pushime dhe pjesëmarrja do të jetë e ulët prandaj nuk mendoj se është një vendi i mirë”, shtoi Jimenez.
Edhe 66 vjecari Alfredo Alvarez nga Madrid thotë për rrjetin AFP se megjithëse është një votues i majtë, dje hodhi një votë të pavlefshme.
“Mendoj se Sanchez e ka llogaritur mirë pak a shumë. Ai ka menduar se meqënëse Partia Popullore i konsideroi si një sfidë zgjedhjet lokale, atëherë le të shkojmë në një sfidë të vërtetë, që do të jetë ajo e 23 korrikut”, komentonte Alvarez.
Pascual José García, 75 vjeçar votues i djathtë nga Madrid shtonte: “Ky rezultat është opinioni i shumë njerëzve të zakonshëm. Unë kam kohë që kam dalë në pension dhe i shikoj njerëzit në rrugë”.
“Ata janë të pakënaqur, janë të pakënaqur me varfërinë dhe të pastrehët, si dhe me ligjet e reja feministe që thonë ‘vetëm po do të thotë po …’”, tha Garcia.
65 vjeçarja e majtë Iris Hernández, nga Madrid tha: “Unë jam e shokuar. Unë dua që njerëzit të votojnë për të larguar partinë e ekstremit të djathtë Vox, nuk po flas për Partinë Popullore por të paktën të heqin patinë Vox”, tha ajo duke iu referuar dy partive të djathta opozitare.
Top Channel