Në Vlorë bashkia nuk e ka çelur ende zyrtarisht sezonin turistik, por turistët nga vende të ndryshme kanë vërshuar në qytetin bregdetar.

Vranësirat e shpeshta të motit, nuk i kanë penguar pushuesit që të dalin në plazhe, ndërsa muaji maj si rrallëherë e gjen qytetin plot me turistë.

Për kreun e operatorëve turistikë të Jugut, ky sezon mund të thyejë rekorde, ndërsa vëren me kënaqësi ardhjen e turistëve nga europa perëndimore.

“Këtë vit jemi mirë, që do të thotë se qyteti ka filluar punë. Kemi klientelë nga Europa perëndimore, ndryshe nga herët e tjera që kanë qenë kryesisht klientë nga Europa Lindore. Po të shohësh shëtitoret e Vlorës ke turistë të Austrisë, Italisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Portugalisë.  Risia këtë vit janë spanjollët dhe portugezët, që kanë prenotuar me kontrata fikse dhomat dhe hotelet në Vlorë duke filluar nga datat 10 -11 qershor. Shumë operatorë turistikë tashmë i kanë rritur standardet e tyre, duke bërë paketa all-inclusive, si gjithë vendet e rajonit. Durrësi ka vite që e ka filluar, i bashkohet edhe Vlora këtë vit”, tha Vasil Bedini, kreu i turoperatorëve të Jugut.

Pushuesit nga Kosova nuk mungojnë as këtë vit, ndërsa edhe ata nga vende të tjera europiane shprehen të kënaqur me shërbimin në Vlorë.

“Vlora më duket se është një nga qytetet më të bukura në pjesën perëndimore të Evropës që ofron një panoramë të mrekullueshme duke përfshirë edhe detin edhe malet”, tha një pushues nga Kosova.

“Vij nga Prishtina. Kushtet janë shumë të mira edhe mikpritja gjithashtu. Në hotel gjithashtu kemi marrë shërbim shumë të mirë”, tha një tjetër.

“Jam nga Hungaria dhe kam ardhur këtu para tre ditëve. Është një mrekulli e vërtetë. Më pëlqen mikpritja e njerëzve dhe sigurisht natyra. E sigurtë që do t’jua sugjeroj të gjithë miqve të mi, që të vijnë këtu”, tha turisti.

Përveç pushuesve, Vlora po pret edhe punëtorë të huaj, ndërsa kriza për punonjësit sezonalë shqetëson gjithnjë e më shumë bizneset. Të rinj nga Sri Lanka dhe Turqia kanë zgjedhur vendin tonë për kushtet që ofron

Ndodhem prej një muaji në Shqipëri. Idenë për të punuar këtu ma sugjeroi një shoku im. Ndihem i lumtur dhe komod. Rroga sigurisht është më e lartë se në Turqi. Ndjej që është vetëm fillimi dhe shpresoj të jem për një kohë të gjatë këtu”, tha një kuzhinier turk.

Top Channel